E licencuar nga "MASHT" nga viti 2002

THEMELIMI I ORKESTRËS SË FËMIJËVE - për herë të parë në Kosovë

NJOFTIM

THEMELIMI I ORKESTRËS SË FËMIJËVE - për herë të parë në Kosovë

Të nderuar prindër, nxënës, artdashës dhe qytetarë të Prishtinës.

Duke e parë rëndësinë që ka edukimi muzikor në formimin e hershëm të fëmijëve, duke e parë se edukimi i mirëfilltë për instrument asnjëherë nuk është i plotë pa lojë të përbashkët në ansambël dhe orkestër, duke parë gjithashtu që ka shumë fëmijë të talentuar, dhe ky talent duhet të zhvillohet me angazhim shtesë,

Shkolla e muzikës "Amadeus" ka kënaqësinë të ju informojë se ka vendosur të themelojë Orkestrën e Fëmijëve të Prishtinës "Amadeus".

Me që këtë vit shënojmë vitin e 20-të të themelimit dhe kemi organizuar mbi 100 koncerte me formacione të ndryshme ansamblesh, ka ardhur koha për qëllime edhe më të mëdha, për të mirën e të gjithë artdashësve të vegjël por edhe të qytetit të Prishtinës.

Në bashkëpunim me shoqatën e artistëve të vegjël dhe të rinj "Amadeus" si dhe në bashkëpunim të ngushtë me mësimdhënësit e shkollës së muzikës "Amadeus", do të punojmë dhe angazhohemi shumë që të kompletojmë edukimin e instrumentistëve të vegjël dhe të rinj. Do të punojmë shumë që qytetit të Prishtinës të ia shtojmë edhe një institucion artistik të fëmijëve ku ata do të zhvillohen, dhe formohen si artistë e muziktarë komplet.

Loja në orkestër është pjesë e domosdoshme e edukimit të një instrumentisti, prandaj themelimi i orkestrës së fëmijëve pasuron edukimin muzikor dhe është i domosdoshëm për formimin e një instrumentisti të ardhshëm.

Së shpejti do të vijmë me njoftimet dhe shpalljen e konkursit për pranimin e nxënësve dhe mënyrën e zhvillimit të punës

Ju faleminderit! 

20 Shtator 2022